Gashi: Dënimi me vdekje është tërheqje e vërejtjes se nëse ti e merr jetën teme, dikush mundet me ta marrë tanën

Tomë Gashi, avokat i familjes së të ndjerit Lulzim Fejzullahu, ka thënë se i ka dërguar tri shkresa për ta kuptuar se çka ka ndodhur dhe si janë shkresat për ditën kur u rrah për vdekje Lulzimi.

“Kemi dërgu shkresë në Gjykatë, Prokurori edhe përfundimisht në IPK. Ne kërkojmë përgjigje dhe shumë shpejt do të njoftohemi çfarë ka ndodhur dhe si janë shkresat. Për t’i lanë thashethemet se kushdo që flet diçka të pabazë vetëm edhe njëherë, e dëmton familjen e Lulzim Fejzullahut dhe familjarët e tjerë të cilët janë gjallë”, ka thënë ai në një intervistë për lajmi.net.

Gashi duke i komentuar deklaratat që të ketë dënim me vdekje në Kosovë për raste të tilla, tha se kështu tërhiqet vërejtja se “nëse e merr jeten teme, dikush mundet me ta marrë jetën tane”.

“Dënimi i mundshëm, maksimal për dikë nuk do të thotë kurrgjë tjetër, vetëm tërheqje e vërejtjes që nëse ti e merr jetën teme, dikush mundet me ta marrë jetën tane në formë krejtësisht ligjore dhe pastaj mendohesh dy herë, e jo që ta luajmë rolin e të fortit, se na e dimë sa të fortë jemi”, ka thënë Gashi.

“Janë sociologë, psikologë, janë një mori institucionesh që merren me çështje të tilla, por në prizmin tim qofsha i gabuar, na shqiptarët e respektojmë veç tutën”, ka shtuar ai