Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku është diskutuar raporti për vëzhgimin e zgjedhjeve në Serbi.
Tahiri ka folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, duke thënë se Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet për anëtarësim dhe shpreson që nuk do të ketë kushte të reja.
“Kjo ishte një vizitë shumë e rëndësishme për shkak se pritet dhe u diskutua që në prill të dalë në votim raporti i raportueses për Kosovën, Dora Bakojaniq, e cila në qoftë se sjell raportin dhe votohet në prill, atëherë në maj do të shkojë në Këshill të Ministrave në mënyrë që ta marrë vendimin final”, ka thënë Tahiri.
“E rëndësishmja është që raporti të vijë në Asamblenë Parlamentarë të KiE-së për shkak se votat mendojmë që janë dhe pastaj një vendim tepër i rëndësishëm që duhet të ndodh është në Këshillin e Ministrave”, ka shtuar ai.
Sipas tij, shumica dërrmuese e anëtarëve nga shtetet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, deputetëve të vendeve evropiane ishin në mbështetje të aplikimit të Kosovës.
“Kishte një reagim nga deputetët që vijnë nga Parlamenti i Serbisë me argumente të vjetra të shekullit të kaluar. Mirëpo e drejta është në anën tonë”, ka shtuar deputeti i AAK-së në Klan Kosova.
“Ajo që duhet të thuhet është se parakushtet kryesore Kosova i ka përmbushur, tani shpresoj që nuk do të ketë kushte tjera. Është diskutuar edhe çështja e Asociacionit, edhe çështja e Manastirit të Deçanit, dhe çështja e një ligji të Doganave – të tria këto ishin kërkesa të diskutuara, por jo saktë të elaboruara”, është shprehur Besnik Tahiri.