Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë qeverisjes së Isa Mustafës është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian që shtron rrugën për integrim drejt BE-së. Hoti thotë se kjo është marrëveshja e parë kontraktuale Kosovë-BE, me status të veçantë për shkak të vendeve mosnjohëse në BE.
Por Hoti thotë se Qeveria Kuti e ka degraduar këtë marrëveshje dhe gjithë procesin integrues të Kosovës, duke ia nënshtruar MSA-në zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që sipas ish-kryeministrit Hoti ka nene problematike për rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës
Hoti kujton se Marrëveshja e Ohrit është bërë me vullnet të lirë e madje Kurti ka insistuar nëpër korridoret e hotelit në Ohër për të marrë nënshkrimin e marrëveshjes. Megjithatë thotë se tashmë kur është shkaktuar dëmi e kur Kosova po vuan nga sanksionet e BE-së, Kurti po kërkon të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit.
Deputeti i LDK-së pyet se si gjithë ajo Qeveri, me gjithë këshilltarët e me Presidenten Osmani si juriste, s’kanë arritur ta kuptojnë gropën ku kanë rënë kur është pranuar Marrëveshja e Ohrit. Sipas Hotit, tashmë është normale që BE-ja injoron një kërkesë të tillë të Qeverisë.
Reagimi i plotë:
Në vitin 2015, Qeveria Mustafa ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, e cila e trason rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kjo mbetet marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, sigurisht me status të veçantë pasi kishte dhe ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka disa nene shumë problematike për rendin kushtetues dhe ligjor së Kosovës. Marrëveshja e Ohrit u bë me vullnet të lirë, bile Kryeministri insistonte nëpër korridoret e hotelit në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes.
Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, Kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me Presidenten juristen, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.