Ministri malazez i Mbrojtjes: Do të vazhdojmë të dërgojmë ushtarë në Kosovë

Ministri malazez i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, tha se Mali i Zi do të ketë një prani të shtuar në pjesën lindore të aleancës së NATO-s.

“Ne do të kemi ushtarë në Letoni dhe Bullgari, por do të vazhdojmë të dërgojmë ushtarë në Kosovë dhe Irak. Sa i përket agresionit rus kundër Ukrainës, ne do të dërgojmë ushtarë në përputhje me detyrat e reja të NATO-s,  tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me admiralin Rob Bauer, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshilltar për Çështjet Ushtarake të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg.

Krapoviq theksoi se takimi i sotëm me Bauer është një mundësi tjetër për të demonstruar përkushtimin e Malit të Zi për anëtarësim në NATO, raporton media malazeze “Vijesti”.

Ai mes tjerash deklaroi se siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për Malin e Zi.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Krapoviq dhe potencoi se prania e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkan është e rëndësishme për parandalimin e ndikimit malinj të palëve të treta.