Pasi 18-vjeçari Liridon Fejzullahu nga Podujeva s’u mbijetoi goditjes me veturë dhe më pas goditjeve të përsëritshme me shufër në kokë, Policia fillimisht e përshkroi rastin si therje me thikë, por pamjet e publikuara e demantuan këtë version.
Për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka nisur një hetim, ndërsa nga Policia e Kosovës tash kanë dhënë një sqarim.
Policia e Kosovës ka dhënë një sqarim lidhur me përshkrimin që ia kishte bërë vrasjes së rëndë të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu më 14 janar, si “therje me thikë”.
Zyra për marrëdhënie me publikun dhe media e Policisë, tha në një përgjigje për Gazetën Express se ngjarja e 14 janarit ku 18-vjeçari u godit me veturë dhe më pas me një shufër disa herë në kokë, “dyshohet të jetë vazhdimësi e një zënke” në të njëjtën ditë.
“Ne e vlerësojmë interesin tuaj në hetimin tonë të vazhdueshëm për rastin e fundit të Vrasjes së rëndë të ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë, më datë 14.01.2024. Ne po ashtu i kuptojmë shqetësimet dhe pyetjet në lidhje me informacionet paraprake dhe ato që ndërlidhen me rastin dhe ne dëshirojmë t’i trajtojmë këto me transparencën maksimale, me qëllim të evitimit të çfarëdo lloj konfuziteti që mund të keni në lidhje me ngjarjen dhe të dhënat zyrtare që posedojmë deri tani”, thuhet fillimisht në përgjigje.
Policia thotë se ka trajtuar dhe po trajton “çfarëdo informacioni që mund të ndërlidhet me çfarëdo rrethane që ka mundur ti paraprij ngjarjes”.
“Ngjarja që i referoheni ka ndodhur më, 14.01.2024, rreth orës 13:00, në rrugën “Drenica” në Podujevë. E njëjta dyshohet të jetë vazhdimësi e një zënke (mosmarrëveshje apo konflikti) të ndodhur po të njëjtën ditë, disa minuta përpara, në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Podujevë. Policia ka trajtuar dhe po trajton çfarëdo informacioni që mund të ndërlidhet me çfarëdo rrethane që ka mundur ti paraprij ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Që prej kur mori informacion për rastin, Policia thotë se trajtoi “me kujdes të veçantë çdo aspekt të ngjarjes” dhe se “ka ndërmarrë me përpikëri të gjitha veprimet e nevojshme të ekzaminimit ato operative si dhe veprimet hetimore në përputhje me kompetencën si dhe autorizimet e marra nga prokurori i shtetit”.
“Në kontekstin e kësaj përgjatë ekzaminimit forenzik, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë, të cilën e ka administruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në përgjigje.
Më tej, Policia tregoi se “ka identifikuar edhe veturën e përdorur nga të dyshuarit dhe të njëjtën e ka sekuestruar në rrugën “Universi” në Podujevë”.
“Përgjatë kontrollit të veturës policia ka gjetur brenda në veturë një mjet të fortë druri që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë”, thuhet në përgjigje.
Që nga momenti i parë, Policia kujton se “rasti është trajtuar si “Vrasje në tentativë” dhe në vazhdimësi është punuar në mbledhjen e provave, fakteve e dëshmive, përfshirë këtu edhe marrjen e video pamjeve nga kamera të ndryshme, e që do ti kontribuonin zbardhjes së rastit”.
“Përfundimisht pas marrjes së konfirmimit nga ana e klinikës ku po trajtohej viktima se i njëjti ka ndërruar jetë, atëherë me autorizimin e prokurorit të shtetit policia ka ri cilësuar veprën dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë””, thuhet në përgjigje.
“Duke respektuar vazhdimin e hetimit por në të njëjtën kohë duke siguruar integritetin e raportimit policor dhe për të shmangur çdo shpërndarje të mëtejme të informacioneve të pasakta ju lutemi që përtej informacioneve të sipër cekura ti drejtoheni Prokurorisë”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime për veprimet e policëve, pasi Policia fillimisht e përshkroi rastin si therje me thikë, por pamjet e publikuara e demantuan këtë version.