Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën për Shqipërinë, përmes së cilës Brukseli apelon për përfshirjen e zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar përfaqësim të vërtetë.
“Të përfshihen të gjithë zërat nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar përfaqësim të vërtetë. Të përdoren Komisionet Hetimore për të forcuar llogaridhënien dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri. Parlamenti Europian bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.
Parlamenti Europian miraton në Komitetin e Stabilizimit rekomandimet për Shqipërinë. Në Rezolutën e PE për Shqipërinë, evidentohet kryesisht këto çështje kryesore:
Bëhet thirrje për përfshirje të fortë të Parlamentit për të nxitur angazhimin e opozitës.
Theksohet funksioni jetik i kontrollit dhe balancimit të Parlamentit, duke theksuar nevojën për komisione hetimore.
Evidentohet se Ligji i ri për komisionet hetimore parlamentare u miratua pa konsensus.
Kërkon përdorimin e mjeteve të ndryshme të mbikëqyrjes duke përfshirë komisionet hetimore, për të forcuar llogaridhënien dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri.
Shpreh keqardhjen që pavarësisht krijimit të komitetit ad hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk është bërë asnjë përparim as në miratimin e ndonjë teksti dhe as në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Thekson rëndësinë kryesore të përfshirjes së të gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse.
Bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor.
Bën thirrje për shmangien e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë, dhe të eleminohet korporatizmi.
Bën thirrje që të sigurohet që procedurat dhe vendimet gjyqësore të mbahen sipas standardeve të qëndrueshme, pa standarde të dyfishta.
Theksojmë nevojën për miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve të nevojshme në ligjet e reformës në drejtësi. Këto reforma janë thelbësore për një gjyqësor të pavarur që u përmbahet praktikave më të mira ndërkombëtare, duke garantuar drejtësi, paanshmëri dhe efikasitet.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, thekson rëndësinë e zbatimit të reformave të nevojshme për përthithjen efektive të fondeve, duke përforcuar kështu rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Shpreh shqetësimin se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar.
U kërkon institucioneve shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin, duke theksuar nevojën për veprime efektive dhe të vazhdueshme, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë.
Mirëpret ndryshimet e ligjit specifik për Rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian, duke kërkuar që ti ofrohen mundësitë opozitës, të përfshihen plotësisht në procesin e integrimit evropian.
Thekson nevojën për të mbrojtur gazetarët nga pengesat ligjore dhe institucionale.
Kërkon veprime për të siguruar një mjedis të sigurt për gazetarët, duke mbështetur një peizazh mediatik të lirë dhe të drejtë, thelbësor për forcimin e demokracisë në Shqipëri.
Thekson rëndësinë e ruajtjes së rajoneve të mbrojtura mjedisore dhe turizmin e qëndrueshëm, duke avokuar për zhvillim që balancon rritjen ekonomike me ruajtjen ekologjike”- thuhet në deklaratë.