Inspektorati nis hetimet për raportimin e vrasjes së 18-vjeçarit nga Podujeva

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë që ka nisur hetim për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahut, i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur.

Kjo pasi ditën që ndodhi rasti, raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës kishte përshkrim krejt tjetër. Sipas raportit viktima ishte therur me thikë.

Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar IPK-ja me anë të një përgjigje.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin prëveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigje.

Tutje thuhet se veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së.