Javën që po lëmë pas, Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore për paratë e gatshme, duke njoftuar se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt shkaktoi reagime, në mesin e të cilave ishte edhe një deklaratë e Bashkimit Evropian, raporton Gazeta Sinjali.
Nga BE kanë deklaruar se po e analizojnë çështjen, por që kanë pasur edhe një thirrje për Kosovën dhe Serbinë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, kërkoi që të shmangen veprimet e pakoordinuara që nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve mes dy shteteve.
“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.
Stanoi po ashtu e përsëriti thirrjen që kjo çështje të adresohet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Edhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se shpreson që të gjendet një zgjidhje dhe të mos ketë pasoja negative, duke shtuar se Brukseli tashmë i ka informacionet dhe do të dalë me një qëndrim.