Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht.
Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, në rrugën “Drenica” në Podujevë, ku dy të dyshuarit e sulmuan brutalisht viktimën.
Për këtë ngjarje të rëndë ka folur edhe familjari i viktimës, axha Rrahim Fejzullahu i cili tha se i ndjeri pas një konflikti verbal me të dyshuarit tek berberi i lagjes, u godit me veturë nga ta e më pas edhe me mjete të forta, ku siç thotë Fejzullahu në tentim për ta vrarë e kanë goditur vetëm në kokë.
Ai shtoi se për të ishte kujdesur qysh kur ishte 5-vjeçar, atëherë edhe kur mbeti jetim.
“Asnjë shenjë në trup djali se ka, veç në kry. Kjo është tentatim vrasje dy herë, një herë me veturë, një herë me stupca. Djali e ka një vëlla dhe një motër para vete. Ky pa prindërit ka qenë qysh në moshën 5-vjeçare. E kemi rritur qysh kemi mujtë, as borxh, as hile kurrkujt si kemi”, tha ai.
Fejzullahu po ashtu kërkoi drejtësi nga organet e rendit, teksa përshkruajti gjendjen e rëndë emocionale në të cilën po ndodhen.
“Po mujkan shqiptarët me e bë edhe këtë punë. Unë veç kërkoj drejtësi maksimale. Nëse ka drejtësi për këtë rast iu kisha lutur shtetit, Prokurorisë, kujdo drejtësi maksimale. Me dalë me e mbyt një jetim pa të bë sen, pos shqiptarët po e bojkan. Në vend që me ia çu një kafshatë bukë me i ndihmu, e mbytë stupc. Na ka mbyt…çka me bo…”, u shpreh ai për Nacionale.