Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, në një intervistë për Kosovo Online ka folur për çështjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Duke folur për Manastirin e Deçanit, Rohde ka thënë se Kosova sa më shpejt që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese aq më i shpejt do të jetë suksesi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Më lejoni të theksoj një gjë. Unë jam në kontakt shumë të ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse këtu. Kisha Ortodokse Serbe këtu është pjesë e trashëgimisë kulturore, jo vetëm të Kishës Orotdokse Serbe në Kosovë, por edhe të mbarë botës. Kjo është arsyeja pse është një trashëgimi e UNESCO-s. Për mua, mbrojtja e të drejtave të Kishë Orotdokse, e cila u përmend në planin e Ahtisaarit, është një test nëse të drejtat e pakicës respektohen. I keni parë deklaratat e mia, deklaratat e Quintit për manastirin e Deçanit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në çdo vend, veçanërisht kur kanë të bëjnë me pakicat ose në këtë rast të drejtën e të drejtave fetare. Sa më shpejt të zbatohet vendimi, aq më shpejt do të jetë i suksesshëm vendimi për kandidaturën në Këshillin e Evropës”, ka thënë Rohde.
Ai tutje ka thënë se nuk sheh që kandidatura e Kosovës mund të ketë sukses nëse nuk zgjidhet çështja e Manastirit të Deçanit. Gjithashtu ka paralajmëruar zhvillime shumë shpejt lidhur me këtë dhe se do të dalin rekomandime se çfarë duhet bërë para votimi.
“Tash për tash çdo qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Së shpejti do të ketë një diskutim për këtë dhe do të bëhen rekomandime se çfarë duhet bërë para votimit të pranimit dhe kjo temë do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve”, ka thënë Rohde./Express/