Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka ftuar deputetët që ta votojnë Rezolutën e PDK’së për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe heqjen e bllok tarifës.
Tahiri ka bërë një krahasim të çmimit të rrymës që e blen KESCO dhe çmimit që u faturohet pastaj konsumatorëve, raporton Express.
“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë, pra kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kWh është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 përqind. Nëse shkojmë mbi 800kWh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kWh shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kWh na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 përqind”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, kjo është plaçkitje dhe se duhet të kundërshtohet në secilin variant.