Ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker tha se për ish-drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, kishte thënë gjëra “goxha të këqija” gjatë kohës sa ai ishte president.
Walker ishte në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në T7, ku tregoi një ngjarje në javët e fundit të presidencës së Thaçit, ku ia kishte shprehur pendimin e tij. Aty, diplomati amerikan tha se e ndryshoi përceprimin për Thaçin.
“Deri kur u bë president, unë pata raport të njëjtë me të, siç kisha me Ramushin ose me të tjerët politikanë, si Limaj… përmendni ju. Ai ishte dikush që e vizitoja pothuaj sa herë që vija këtu. Gjatë pjesës më të madhe të presidencës së tij, kam qenë kritik ndaj Hashim Thaçit. Shpesh disa gjëra që i kam thënë, kur i shikoj mbrapa, ishin goxha të këqija për Hashim Thaçin, kryesisht për qeverinë e asaj kohe. Gjatë javëve të fundit të presidencës së tij, unë isha këtu dhe ishte shtruar një darkë për ndertimin nga vetë ai dhe nga Behgjet Pacolli. Ishte një numër i madh njerëzish dhe në fund të darkës sikur u ndjeva disi i qetë dhe u ngrita dhe thashë disa fjalë, e shikova presidentin Thaçi dhe i thashë: tash pendohem që kam thënë shumë gjëra negative për ty dhe disa prej tyre shpresoj të mos i kesh marrë si personale. Nuk e dija se si do të përgjigjej. Ai u ngrit dhe tha disa gjëra shumë, shumë të bukura. Ai tha se i kujtohen shumë nga këto gjëra që ia kisha thënë, por kurrë nuk i kam marrë si kritika personale. Gjithmonë i kam marrë ato si përpjekje tuaja për të më bërë mua dhe Kosovën një vend më të mirë. Dhe nuk ka ndjenja të vështira. Aty e ndryshova perceptimin tim për Hashim Thaçin”, tha Walker.
Tash, ai tha se ndjen obligim që të kontribuojë që Thaçi dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së të liroheshin nga ndjekja penale e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa paralajmëroi se mund të paraqitet si dëshmitar i Mbrojtjes.