I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se në takimin me presidentin serb Aleksandar Vucic, kanë diskutuar ndër tjerash, për çështjet aktuale urgjente, që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Lajçak tha se kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë – Serbi.
“Pata një diskutim të rëndësishëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe hapat e ardhshëm në periudhën e ardhshme. Folëm edhe për çështje aktuale urgjente”, ka deklaruar Lajçak.
Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiqin këto ditë.
Ditë më parë, Lajçak ka diskutuar për dialogun edhe me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu në Davos, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.
Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.