Të paktën shtatë minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit në Minierën e Trepçës. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të shtatë të lënduarve, teksa e njëjta ka bërë të ditur se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Shtatë minatorë janë sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi të njëjtit kanë pësu lëndime si pasojë e derdhjes së acidit. Pesë nga ta janë ende në trajtim në Emergjencë, ndërsa dy janë pranu në Repartin e Oftamologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.
Ata që janë pranu në Repartin e Oftamologjisë, kanë lëndime në sy dhe janë në gjendje goxha të rëndë, rreth problemeve me sy, tjerët kanë dhimbje gjoksi, problem me frymëmarrje, djegie të fytit për shkak të atij acidit që është derdhë në Minierë”, tha Mustafa për Sinjalin, përcjell 07 Press.