Ish-emisari i Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, më në fund ka folur pak fjalë pozitive për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurtin e ka vlerësuar si një negociator të fortë, por që sipas tij, ai duhet të ofrojë zgjidhje në dialog. Ai e ka lavdëruar Kurtin edhe për luftimin e korrupsionit.
“Kurti është negociator i fortë, por ai duhet ta dijë se duhet të vijë edhe me ide që sjellin zgjidhje”, është shprehur Richard Grenell në një konferencë virtuale për gazetarë, transmeton Nacionale.
“Kurti mund ta luftojë krimin dhe korrupsionin. Më pëlqen kjo, për ta pastruar korrupsionin. Por ajo që i mungon Kurtit dhe përkrahësve të tij, është ta pranojnë se janë 20 e më shumë vjet nga konflikti dhe duhet të sjellim ide që të dyja palët të ecin përpara”, theksoi Grenell.
Grenell gjithashtu ka kërkuar edhe një përkushtim më të madh nga administrata Biden, në dialogun Kosovë – Serbi.
“Evropianët kanë nevojë për ndihmën e amerikanëve. Është koha dhe ne po kërkojmë që administrata e Bidenit të angazhohet në Ballkan”, u shpreh më tutje ish i dërguari i Donald Trumpit për dialogun.
I pyetur se kush duhet të përfshihet nga Amerika në dialogun Kosovë – Serbi, Grenell ka thënë se kjo çështje i takon presidentit amerikan, Joe Biden.
“Dyja palët duhet të qëndrojnë në tavolinë. Kur shohim Ukrainën, kur diplomacia dështon, shohim luftë dhe konflikt. Është koha të shohim diplomatët amerikanë që do tu thonin dy palëve që duhet të bëni kompromis. Kjo duhet të jetë diçka që Shtëpia e Bardhë ta shtyjë përpara. Ai duhet të shtyjë përpara zgjidhje në Ballkan”, ka thënë Grenell më tutje.
Duke folur për takimin e djeshëm në Bruksel, diplomati amerikan vlerësoi se kryeministri i Kosovës, dje ka refuzuar çdo opsion për kompromis.
“Koha po vazhdon, dhe popujt e Ballkanit meritojnë vëmendjen e evropianëve dhe amerikanëve në mënyrën më të shpejtë se që po ndodhë tani. Do të thoja që ne nuk kemi plan tani, dhe shpresa është për një takim tjetër. Caktimi i takimeve nuk është progres, është taktikë”, theksoi Grenell.
Ai ka kërkuar që edhe marrëveshjet e nënshkruara në të kaluarën, të zbatohen.
“Isha i lumtur që ata e shtynë përpara marrëveshjen ekonomike të nënshkruar në kohën e Donald Trump. Amerika dhe BE duhet të shtyjnë palët drejt marrëveshjeve. Kemi pajtuar palët të kenë fluturime direkte Prishtinë Beograd, kjo ndikon në zhvillimin ekonomik. Ne duhet të pranojmë që këto projekte të nënshkruara nga dy palët duhet të zbatohen”, theksoi Grenell në këtë konferencë virtuale, me gazetarë nga vende të ndryshme.
Edhe në Kosovë kërkohet përfshirja e Amerikës
Lider të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarët e shohin BE-në si të pafuqishme për ta ndihmuar arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ata besojnë se vetëm me përfshirjen e thellë të ShBA-së në këtë proces mund të arrihet marrëveshje me njohje reciproke
Zvarritja e procesit të dialogut Kosovë-Serbi ka bërë që të shihet me skepticizëm roli i Bashkimit Evropiane si ndërmjetësues i këtij procesi.
Tani kur kanë filluar diskutimet për një marrëveshjen përfundimtare ndërmjet të dy shteteve, BE-ja po shihet se e pafuqishme për të avancuar këtë proces.
Lider të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarët po kërkojnë përfshije më të madhe të SHBA-së në këtë proces. Sipas tyre, pa përfshirjen e ShBA-së nuk mund të ketë marrëveshje finale me njohje reciproke.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që BE-ja të heqë dorë nga ndërmjetësimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se BE-ja këtë agjendë duhet t’ia dorëzojë SHBA-së.
“Unë nuk jam anti-evropian. Unë jam evropian, unë besoj në Evropën, jemi familje, na jemi në Evropë, jemi dhe do të jemi. Arsyeja pse Këshilli i Sigurimit e ka bartë çështjen e dialogut te BE-ja ka qenë për mos me marrë kundërshtim prej Rusisë dhe Kinës. A e kuptoni? Me gjetë një lloj linje prej rezolutës 1244, me mbulu në aspektin e ligjit ndërkombëtar, me ua dhënë shërbimit të jashtëm të BE-së, BE-ja që e falënderoj shumë, deri sot ka bë shumë dialog dhe ka rezultate prej dialogut. Pra mos harroni… ka shumë të arritura. Ne e shohim se kancelari i ri, i ka pritur këta në Berlin, e ka pritë Albinin dhe Vuçiqin, pastaj Lajçaku, pastaj ka ardhë ai këtu. Çka tjetër mund të bëjë më një shef i vendit më të madh në BE”, ka thënë Haradinaj.
Njëjtë mendon edhe udhëheqësi i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.
Ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare në mes të dy vendeve varet nga niveli i përfshirjes se SHBA-së në këtë proces.
“Mendoj se mund të kemi një lloj zotimi mbase të dy liderëve sesi do të ecim përpara në procesin e dialogut. Marrëveshje të shpejtë nuk mund të ketë. Mendoj që interesimi i vendeve perëndimore ekziston dhe ShBA-së që të kemi një proces të përshpejtuar të dialogut dhe të arrijmë një marrëveshje. Kjo varet edhe prej nivelit të përfshirjes së ShBA-së. Nëse ShBA janë të përfshira në dialog mendoj që gjasat janë që të arrijmë më shpejt nëse jo nuk shoh një përparim të shpejt në dialog”, ka thënë Ymeri për Ekonomia Online