Ish-ministri i Mbrojtjes nga LDK-ja, në kohën e Qeverisë Kurti 1, Anton Quni ka thënë se kërkesa për raketat ‘’Javelina’’ është bërë gjatë kohës sa ai ishte ministër.
Sipas Qunit kjo kërkesë ishte përkrahur edhe nga ana e ish-ministrave tjerë të mbrojtjes.
“Për sistemin Javelin, është folur në kohën time. Në kohën kur unë isha Ministër, janë specifikuar kërkesat e tjera. Por, edhe i kam mbështetur edhe kërkesat tjera që janë bërë shumë më herët nga ish ministri Rrustem Berisha. Unë mendoj që të gjithë ministrat që kanë kaluar nëpër atë Ministri, kanë qenë në nivelin e detyrave, ju kanë përmbajtur planit të tranzicionit të FSK-së. Është një kontinitet i zhvillimeve, gjithnjë sipas raporteve që i kemi me shtetet partnere.”, deklaroi Quni në Tëvë1.
Javën e kaluar pasi, Departamenti amerikan i Shtetit, konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh, politikanët në Kosovë janë përfshirë në një debat publik në rrjetet sociale, duke bërë ‘gara’ se kush është më meritori sa i përket blerjes së këtyre raketave anti-tank.