Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do t’i dërgojë komentet e saj për draft statutin e asociacionit sapo ky draft të jetë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka thënë se komentet e saj janë në funksion të sqarimit të disa çështjeve.
“Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky institucion duhet t`i trajtojë çështjet me dykuptimësi, të cilat mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. E kam analizuar draftin dhe sapo i njëjti të ndodhet në Kushtetuese, unë do t`i dërgoj komentet e mija, të cilat do të jenë në funksion të sqarimit të disa çështjeve, të cilat mund të krijojnë probleme serioze në rast se nuk sqarohen, gjithnjë duke pasur parasysh kushtetutën e vendit dhe vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2015”, tha Osmani në një intervistë për Reporteri.net.
Më tutje, Osmani ka thënë se pret qasje konstruktive nga të gjithë akterët në proces.
“Pres një qasje konstruktive të të gjithë akterëve në këtë proces, në mënyrë që përpara betejave politike ta vendosim interesin shtetëror, interesin nacional, interesin e Republikës së Kosovës si shtet funksional e në kufijtë e saj aktual.”