Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se nuk ka bërë mjaftueshëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për media serbe, Von Cramon, ka thënë se Borrell nuk është mjaftueshëm i njohur me ngjarjet në Ballkanin Perëndimor.
“Përfaqësuesi i Lartë nuk është mjaft i njohur me ngjarjet në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se ka ardhur vetëm një herë në Kosovë dhe një herë në Beograd. Nëse dëshironi të merreni vërtet me këtë rajon, duhet të bëni më shumë përpjekje dhe të jeni të pranishëm këtu shumë më shpesh. Zoti Lajçak ka bërë shumë. Nuk mund ta fajësosh që nuk është mjaftueshëm aktiv, por nëse ke një përfaqësues të lartë që nuk ka shumë interes për rajonin, atëherë ndonjëherë ndodhin gjëra që dëmtojnë besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Ai vjen nga Spanja, shumë njerëz thonë se është i njëanshëm. Nuk e di, nuk e kam parë që ai nuk ishte i drejtë për Kosovën, por ka mjaft gjëra që tregojnë se ai nuk ka dëshmuar se ka pasur interes të mjaftueshëm për rajonin”, ka thënë ajo, transmeton RadioKim.
Sipas eurodeputetes, ishte një gabim që Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar marrëveshjet e arritura.
“Ishte një gabim që i lamë të shkojnë pa nënshkruar asgjë. Tani e ka të lehtë Kosova që të na fajësojë neve [BE-në dhe Beogradin] që nuk ecim përpara. Tani palët janë shumë selektive: “Unë mund të nënshkruaj atë që është e mirë për mua” dhe tjetra thotë: “Unë do të nënshkruaj gjithçka, por do të doja të shihja Serbinë ta bëjë fillimsht”. Por nëse secili do të bënte pjesën e tij dhe përgjegjësinë e tij, ne mund të ecim përpara shumë më shpejt. Është në interes të popullit, në interes të rajonit dhe në interes të stabilitetit të kontinentit evropian”, është shprehur Von Cramon.
Në vitin kur po mbahen zgjedhjet edhe për Parlamentin Evropian, Von Cramon ka vlerësuar se shefi i diplomacisë evropiane Borrell, nuk është marrë sa duhet me çështjen e Kosovës.
Përkundrazi, sipas saj, BE-ja duhet të tregojë më shumë rigorozitet, pra saktësi ndaj të gjithëve në Ballkanin Perëndimor, në lidhje me kushtet për reformat e sistemeve të brendshme.
“Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë rigorozitet në lidhje me kushtet përpara se të japë para dhe të jetë shumë më i ashpër në lidhje me të, por jo vetëm me një vend, por me të gjitha qeveritë dhe përfaqësuesit ekzekutivë në rajon njësoj“, ka thënë Von Cramon.