Tahiri: Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më në qeverisje

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shtuar se qeverinë e ardhshme do ta krijojë opozita.

Ai ka deklaruar të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më në qeverisje.

“Jemi jashtëzakonisht të gatshëm dhe jemi të bindur se në këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, Lëvizja Vetëvendosje më nuk do të arrijë të krijojë qeverinë dhe qeverinë do ta krijojë opozita”, ka thënë ai.

Ai ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së me mbështetjen e 40 deputetëve kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çmimin e energjisë elektrike.

Tahiri ka theksuar se i ka propozuar Kuvendit një rezolutë që të kërkohet ulja e çmimit.

“Ditën e enjte do ta kemi vetëm seancën e propozuar nga GP i PDK-së…300 milionë euro nuk janë shfrytëzuar nga qytetarët, pikërisht për shkak të kësaj qeverie. Konsiderojmë që sa më herët të shkojmë në zgjedhje, përfitues do të jenë qytetarët e vendit tonë…Kur flasim për sondazhe, ju e dini që pikërisht kanë qenë të njëjtit, komplet opozitën e kanë nxjerrë me 3-4 komuna. Ju e dini që partitë opozitare i ka 2/3-at e komunave. Konsiderojmë që ne nuk i marrim për bazë fare sondazhet e tilla. Ne sot shohim pakënaqësinë e qytetarëve, e shohim tendencën për largim nga vendi”, ka theksuar ai.