Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka dalë para qytetarëve të Serbisë me një video në Instagram, duke i informuar për ecuritë e sotshme në Bruksel pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq, në stilin e tij të njohur prej dramatizuesi, ka thënë se kjo ishte një ditë e vështirë për Serbinë, duke shtuar se nuk mund të thotë nëse përpjekjet ishin të suksesshme.
“Të dashur qytetarë të Serbisë, një ditë e vështirë lamë pas nesh. Ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin. Nuk mund të them nëse përfunduar me sukses”, ka theksuar Vuçiq.
Sipas presidentit serb, nëse arrihet kompromisi mes dy shteteve, kjo do të ishte një mrekulli.
“Po përmbahem nga çdo koment tjetër, sepse shpresoj dhe dua të besoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për paqen dhe stabilitetin”, ka vazhduar ai.
Vuçiq, në fund thonë se do t’u drejtohet brenda 48 orëve të ardhshme qytetarëve të tij.
“Mezi po pres të kthehem në Serbinë tonë”, ka theksuar ai. /GazetaExpress