Nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e ndihmës së madhe ekonomike evropiane prej 6 miliardë eurosh, atëherë ajo duhet të zbatojë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.
Prandaj, gjatë paralajmërimeve për krijimin e qeverisë së re, kryeministrja aktuale, Ana Bërnabiq, deklaroi se Kosova do të jetë prioriteti kryesor.
Vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të jetë fokusi kryesor i qeverisë së re të Serbisë.
Kështu deklaroi për mediat në Beograd, kryeministrja aktuale Ana Brnabiq, e cila paralajmëroi se prioritetet për qeverinë e re, e dalur pas zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor është edhe puna për integrimin evropian.
Zyrtarët qeveritarë ka kohë që paralajmërojnë presione nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj Serbisë, për Kosovën.
BE-ja kërkon fillimisht zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që edhe Serbia të përfitojë nga një plan i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh. Kosova është kusht për integrimet evropiane.
Prandaj njohësit e zhvillimeve vlerësojnë se institucionet e reja, do të përballen me kërkesa për zbatimin e marrëveshjes.
“Kosova do të jetë temë përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Do të shfaqet si një temë rreth së cilës duhet të ndërtohet një lloj kompromisi i brendshëm politik, por do të shohim nëse do të jetë i mundur. Prandaj, çështja e integrimeve evropiane duhet të hapet në mënyrë adekuate, sepse zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit do të jetë në një ose tjetër mënyrë i lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimeve evropiane”, tha Bojan Kllaçar nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci në Beograd.
Në këtë drejtim, kërkesa e parë që do t’i paraqitet Beogradit është përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35, që është pjesë e procesit negociator të Serbisë me Brukselin.
Pas kësaj, e vetmja gjë që pritet janë rezultatet.