Autostrada Prishtinë-Gjilan ishte premtuar se do të përfundonte në vitin 2023.
Por punimeve në këtë autostradë nuk po u vije fundi e as nuk po jetësohet ashtu siç u premtua.
Gazetari i lajmi.net, Selim Miftari, ka shkuar për të parë nga afër punimet, por që aty nuk u pa se ka përfundim të punimeve.
E qytetarët kanë thënë se me këtë dinamikë të punëve, kjo autostradë nuk do të kryhet as në 3 apo 4 vitet e ardhshme.
Një qytetar tha se fillimisht janë shitur tokat aty, e siç tha janë shitur te disa pronarë dhe punimet po vonohet jashtëzakonisht shumë.
Kjo rrugë po u shkakton probleme qytetarëve vazhdimisht e aty janë parë aksidente të shumta që ndodhin e dëmtime të veturave.
Dhënia e tenderit prej rreth 100 milionë euro për ndërtimin e autostradës A7 (autostrada e Gjilanit) u bë publike në ditën e fundit të qeverisjes së kryeministrit Isa Mustafa, në vitin 2017. Më pas në “Qeverinë Haradinaj” u ndërruan kompanitë kontraktuese dhe të njëjtat filluan punën. I gjithë procesi tenderues u konsiderua si i dyshimtë.
Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, e quajtur si Autostrada A7. Kontratat e nënshkruara kapën vlerën fiks 88, 618, 511.95 euro.
Fillimisht, procedurat tenderuese u përgatitën nën qeverisjen e Isa Mustafës, ku edhe u shpallën fituesit. Por, me të ardhur në pushtet Qeveria Haradinaj, tenderi shkoi në rivlerësim, dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit, u ndërruan kompanitë.
Pas kësaj, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e autostradës së Gjilanit ishte bërë në vitin 2018 nga ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Lekaj kishte thënë për Gjilanin dhe qytetarët e saj se kjo rrugë nënkupton komunikim më të shpejtë ekonomik e fizik me të gjithë vendin.
Punimet e kësaj rruge ishin paraparë që të përfundojnë pas 2 viteve.
Në Kosovë gjatë kësaj kohe u ndërruan shpesh qeveritë. Me ardhjen e qeverisjes VV-LDK, në krye të ministrisë së Infrastrukturës erdhi Lumir Abdixhiku, tani kryetar i LDK-së.
Abdixhiku në ditët e para të punës kishte kërkuar anulimin e tenderit 110 milionësh për 24 kilometra Banull-Dheu i Bardhë, nën arsyetimin se nuk ka mjete financiare dhe se projekti i autostradës ishte kontrabanduar në buxhetin e shtetit nga qeveria e kaluar.
“Është e padëgjuar që një qeveri në ikje, pa buxhet të aprovuar, të fusë në obligime financiare qeverinë e ardhshme, që do të mund t’i kushtonin vendit me penalizime financiare që kanë ndodhur më parë”, kishte deklaruar ai.
Për punën e nënshkrimit të kësaj kontrate ka edhe të akuzuar për keqpërdorime.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Reçicës dhe tre zyrtarëve të tjerë lidhur me Autostradën e Gjilanit.