Deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviq, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i rishikojë negociatat me Serbinë për anëtarësim, pas parregullsive që u raportuan në zgjedhjet e mbajtura në muajin e kaluar.
Juratoviq, mes tjerash theksoi se nuk mund ta tolerojnë më qasjen autokratike gjithnjë e më të fortë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Në politikën tonë të jashtme, ne nuk mund të zgjedhim gjithmonë partnerët me të cilët do të negociojmë. Por në këtë situatë, në të cilën drejtuesi i kampanjës shpërfill parregullsitë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë shkel hapur rregullat demokratike, ne nuk mund ta tolerojmë më këtë dhe nuk jam i vetëm në mendimin se negociatat e mëtejshme të para-anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së duhet të “ngrihen” derisa të respektohen parimet themelore të sistemit të vlerave demokratike”, ka thënë Juratoviq, në një intervistë për mediumin malazez “Pobjeda”.
“Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të krijojë drejtpërdrejt politikën e Serbisë në botën demokratike të cilës ne i përkasim dhe të cilës gjoja synon Serbia, vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë përmes proceseve demokratike, duke përfshirë një garë të ndershme zgjedhore”.
Deputeti vuri në pah se ata që duan të bashkëpunojnë duhet të respektojnë rregullat demokratike.
“Ajo që mund të ndikojmë është që ata që duan të bashkëpunojnë me ne duhet të respektojnë rregullat demokratike nëse duan të jenë partnerët tanë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të ardhmen. Këto zgjedhje janë kashta e fundit për tolerancën tonë ndaj qasjes autokratike gjithnjë e më të fortë të Aleksandar Vuçiqit dhe ndjekësve të tij”, tha deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviq. /Klankosova.tv.