BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën. Kushtëzimi i anëtarësimit ka për të pasur efekt në kalkulimet politike të presidentit Vuçiq, sipas analistëve politikë.
Në mesin e kushteve detyruese për Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pritet të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim.
“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kërkesa për ndryshim të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së, pasi Serbia zyrtarisht përmes kryeministres së saj, Ana Brnabiq, tha se “vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet, për të cilat u pajtua me Kosovën”.
Kurti: Serbia nuk respekton marrëveshjen për normalizimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një mbledhje të qeverisë e akuzoi Serbinë se nuk po e respekton Marrëveshjen për normalizim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë, dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin”, tha Kurti.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës më 4 shtator të vitit të shkuar nga një grup serbësh të armatosur. Kosova dhe Serbia vitin e shkuar arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj e njohur si marrëveshja e Ohrit. Këtë BE-ja po do që ta bëjë “ligjërisht të detyrueshme”, ndonëse palët u pajtuan me marrëveshjen, por nuk vendosën firmat.
Në tetor të vitit të shkuar, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ta njohë de facto Kosovën.