Itali: Ndërpritet dasma, shembet tavani i restorantit -mbi 30 të lënduar

Tavani i një restoranti në qytetin italian Pistoia, një qytet i vogël në Toskanë, u shemb mbi të ftuarit gjatë një ceremonie martese.

Autoritetet italiane raportojnë se 35 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa pesë janë në gjendje kritike për jetën dhe janë dërguar në spitale.

Mes personave të shtruar në spitalin e San Jacopo janë edhe dhëndri dhe nusja.

Shembja ndodhi në sallën në katin e parë të ish-manastirit Giaccherino të shekullit të 15-të, i cili përdorej si restorant prej vitesh.

Disa të ftuar tashmë ishin larguar nga festa, por rreth gjashtëdhjetë persona, kryesisht të rinj, mbetën në hapësirë ​​dhe po vallëzonin kur tavani u shemb papritmas, transmeton Telegrafi, përcjell 07 Press.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e shpëtimit me disa autoambulanca, zjarrfikëse nga komanda provinciale e Pistoias. Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryebashkiaku Alessandro Tomasi.

“Të gjitha spitalet janë alarmuar për ndihmë në kohë në mënyrë që të mund të kujdesen për sa më shumë pacientë”, shkroi guvernatori Eugenio Gianni.

Prokurori i Pistoia, Tommaso Coletta, shkoi në restorantin ku u shemb tavani.