Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi përgjatë Administratës Trump, Richard Grenell, ka thënë se po të ishte ende në krye ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kosovarët do të lëviznin pa pengime për viza.
Ai këto deklarime i ka bërë në ‘Twitter’, pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Grenell ka thënë se populli kosovar ka nevojë për një lider që bashkëpunon me SHBA-në dhe BE-në për prosperitet ekonomik.
“Populli i Kosovës meriton një lider që punon me SHBA-në dhe BE-në për të sjellë zhvillim dhe normalizim ekonomik. Kosova duhej ta kishte udhëtimin pa viza deri më tani tani – dhe do të lëvizej pa viza nëse Thaçi dhe Trump do të ishin ende në detyrë”, ka deklaruar ish-emisari amerikan.
Ai ka kërkuar që të ndalohen retorikat dhe të punohet drejt marrëveshjeve mes palës kosovare dhe serbe.