Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë për takimin e sotëm në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.
Në një komunikatë të lëshuar, të parën pas përfundimit të takimit i cili nuk solli ndonjë marrëveshje, Qeveria ka thënë se në takim ishin dy tema në agjendë, shkruan lajmi.net.
Qeveria thotë se në të u diskutua për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes si dhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë.
“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thotë Qeveria në komunikatën e saj.
Njoftimi i plotë i Qeverisë:
Deklaratë mbi takimin e sotëm në Bruksel
Sot në Bruksel u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ky takim është dashur të mbahej me 19 korrik. Mirëpo, ai u pat shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pat shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje.
Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrel dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë