Një kontigjent i FSK-së do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar, marrin pjesë në trajnimin e ushtarëve ukrainas

Një kontigjent i FSK-së do të udhëtojë brenda muajit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata do të marrin pjesë në operacionin Interflex që ka për qëllim trajnimin e trupave të ushtrisë ukrainase, transmeton lajmi.net.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni. Kësisoj, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkëngjisë një kontingjent të instruktorëve profesionistë njësisë së Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar që realizon operacionin Interlfex”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka bërë të ditur se ky angazhim i FSK-së është në linjë me qëndrimin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës.

“Si pjesë e përgatitjeve që po bëhen për këtë operacion, sot takova një grup gazetarësh ukrainas të cilët kanë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim diskutimin rreth situatës aktuale në Ukrainë dhe ofrimin e njohurive kulturore dhe gjuhësore për pjesëtarët e FSK-së të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj nën ombrellën e Ushtrisë Britaneze për të kontribuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, ka bërë të ditur tutje ministri.