Numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Shërbimin Emergjent të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë vitit 2023 ishte rreth 90 mijë. Në Emergjencë deri në gjysmën e dhjetorit janë kryer rreth 1500 operacione, ku rreth 70 për qind e tyre kanë qenë si shkak i aksidenteve të ndryshme.
Drejtori i Shërbimit Emergjent në QKUK, Naser Syla, në një intervistë për KosovaPress thotë se rreth 7 mijë pacientë gjatë vitit 2023 kanë kërkuar trajtim si shkak i lëndimeve në aksidente të ndryshme, prej tyre më së shumti në komunikacion.
Gjatë intervistës, Syla potencoi se ka rënë numri i mjekëve të rinj që shprehin të interesim për të kryer specializimin në mjekësinë emergjente. Ai bëri një krahasim derisa tha se në vitin 2020 qendra emergjente ka pasur rreth 33 specializantë të rinj, derisa shton se tani ka rënë numri në 17.
Drejtori i kësaj klinike thekson si të pakënaqshëm faktin se mosha mesatare e mjekëve është rreth 50-vjeç, për çka shton se për të arritur një nivel të kënaqshëm me shërbime, nevojiten edhe 39 specialistë për t’iu bashkuar Shërbimit Emergjent.
Si problem tjetër, Syla potencon numrin e vogël e infermierëve, derisa thekson se këta të fundit po e braktisin punën në QKUK. Ai thotë se mungojnë së paku dy deri në tre infermierë në çdo ndërrim, në mënyrë që të arrihet një standard në krahasim me shtetet evropiane.
Ndër të tjera, drejtori Syla, tregon se pritet të fillojë renovimi i hapësirave të Qendrës Emergjente, me ç’rast potencon se do të pajisen me aparatura të reja.
Ai e vlerësoi si çështje të rëndësishme ndërtimin e Qendrës Emergjente Kombëtare, për çka thotë se parashihet që brenda këtij objekti të përfshihet Qendra e Kardiologjisë Invazive, Qendra e Strokut, e djegieve e të tjera.
Syla potencon se Qendra Emergjente ka një hapësirë prej 503 metrave katrorë, të cilën e konsideron të pamjaftueshme në krahasim me vëllimin e kërkesave për trajtim. Sa i përket furnizimit me aparatura thotë se ata qëndrojnë mirë, e që njëjtë vlerëson edhe gjendjen me sigurimin e barnave esenciale.