Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike.
Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së tij.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person dyshohej se ishte në gjendje të rëndë emocionale.
Ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hyrë brenda dhomës ku gjendej viktima pa vetëdije. 20-vjeçarit i kanë ofruar ndihmën e parë dhe të njëjtin më pas e kanë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Gazeta mëson se në vendin e ngjarjes, në afërsi të viktimës është gjetur një mjet i mprehtë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Dyshohet se ajo që shtyu të riun të bëjë këtë veprime, lidhet me motive xhelozie.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vetëvrasje në tentativë’.
*Inkurajojmë këdo që ndodhet në periudha të vështira emocionale apo ka mendime të gabuara me pasoja fatale, të drejtohet tek institucionet e specializuara për ndihmë dhe këshillim.