Dyshohen për trazirat në veri, shtyhet seanca ndaj “Llunes”, Pantiq, Vlajiq e Vakiq

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shtyrë seancën ndaj Milun Milenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, dhe tre personave të tjerë, Dejan Pantiq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq.

Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së palës mbrojtëse.

“Konsideroj se në këto rrethana të mbahet sot seanca përgatitore në këtë rast do të jetë e shkelur e drejta e të gjithë të akuzuarve. Propozoj që seanca e sotme të shtyhet dhe Prokuroria të detyrohet që mbrojtësve dhe të akuzuarve t’ju dorëzohen shkresat e kompletuara të lëndës, të përkthyera në gjuhën të cilën e flasin të pandehurit”, ka thënë avokati i Pantiqit, ish-policit kosovar.

Milenkoviq, Pantiq, Vlajiq dhe Vakiq dolën para trupit gjykues si të akuzuar për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.