Gjatë ditës së sotme në Gjykatën e Apelit janë shqyrtuar ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për të akuzuarit Krivaqa dhe Sejdiu.
Seanca ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit, u mbyll për publikun pasi që gjyqtari, Xhevdet Abazi, tha se për shkak të veprës penale “Dhunimi”, kjo seancë duhet të mbyllet për publikun, ndërsa mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.
Sipas kërkesës së avokatëve, Arbnora Shefkiu dhe Avni Ibrahimi, të cilët e mbrojnë të akuzuarin Arbër Sejdiun, i njëjti nuk i ka ndërmarrë veprimet me të cilat plotësohen elementet e veprës penale për të cilën edhe është dënuar.
“Me rastin e vlerësimit të mbrojtjes së Arbër Sejdiut, gjykata e shkallës së parë vlerëson se e njëjta nuk është e besueshme për faktin se nga provat e prezantuara e në veçanti nga shiqimi i CD-së, por ky arsyetim bie në kundërshtim me vetvete me rastin kur gjykata konstaton se edhe nga raportet e ekspertizave të gjurmëve latente dhe ekspertizës së AND-së vërtetohet në mënyrë të pa dyshimt se i akuzuari nuk ka ndërmarrë veprime të dhunshme ndaj të ndjerës, por i ka ndihmuar të akuzuarit Dardan duke i krijuar kushte. Pra, në njërën anë gjykata konfirmon mos përfshirjen e të akuzuarit Arbër bazuar në prova materiale, në anën tjetër thotë se nuk i falë besimin deklaratës së Arbër Sejdiut dhe nuk jep arsyetim se mbi cilat prova bie në kundërshtim deklarimi i tij”, thuhet në kërkesën e avokatëve.
Sipas avokatëve, i akuzuari Arbër Sejdiu nuk e ka ndihmuar ta kryejë këtë vepër Dardan Krivaqën por vetëm e ka shikuar nga dera, ku sipas tyre gjykata e shkallës së parë ka bërë vërtetim të gabuar.
“Ky arsyetim nuk përputhet me asnjërën nga elementet të cilat janë paraparë në nenin 33 të KPPRK-së, sepse shiqimi në derë nuk gjen mbështetje tek dhënia e këshillave apo udhëzimeve, as tek vënia në dispozicion te mjeteve, as tek krijimi i kushteve ose menjanimin e pengesave (të cilën do e sqarojmë më poshtë), as tek premtimi se do të fshehë provat, kryesin apo diçka të ngjashme”, thuhet tutje në kërkesën e parashtruar ndaj Gjykatës së Apelit në Prishtinë.