Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, ka thënë se Britania e Madhe nuk e konsideron Serbinë si “mashë” të Rusisë, por elementë të caktuar në vend veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë.
Në një deklaratë për agjencinë “Beta”, ambasada britanike ka thënë se beson se në Serbi, ka elemente që veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë, duke kërcënuar stabilitetin dhe demokracinë në rajon.
“Ne besojmë se në Serbi ka elementë që veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë duke kërcënuar stabilitetin dhe kapacitetet demokratike të rajonit. Serbia është shtet i pavarur, sovran. Mbretëria e Bashkuar ka bashkëpunuar me Serbinë për një sërë prioritetesh të përbashkëta për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, ka thënë Ambasada në përgjigje pas deklaratës së kryediplomatit, David Cameron, në Komitetin e Politikës së Jashtme të parlamentit britanik.
“Serbia është një shtet i pavarur sovran dhe ne mirëpresim qëndrimin e qartë të qeverisë serbe në drejtim të kundërshtimit të luftës në Ukrainë. Ne do të vazhdojmë ta inkurajojmë Serbinë që të zbatojë sanksione kundër Rusisë. Mund të mos pajtohemi plotësisht, por mirëpresim dialogun e rregullt me Qeverinë e Serbisë për këto çështje”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.