Kryeministri Albin Kurti ka folur gjatë një konference për media me homologun e tij nga Irlanda, Leo Varadkar.
Kurti ka thënë se Irlanda është veçanërisht frymëzuese për Kosovën, sepse sipas tij të dyja vendet kanë të përbashkëta, transmeton lajmi.net.
“Nga pikëpamja shoqërore, populli ynë shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Për sa i përket aleancave ndërkombëtare, të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, që të dy vendet tona janë të orientuara dhe të fokusuara kah rritja thelbësore dhe progresi social”, ka thënë Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.
Tutje ai ka kërkuar nga Irlanda që ta mbështesë Kosovën, në mënyrë që të marrë nga BE-ja statusin e kandidatit.
“Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Evropës, ku ne aplikuam gjatë presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Irlanda, si dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian për çka kërkuam mbështetjen për statusin kandidat. Irlanda po ashtu ka dhënë kontribut të hershëm të cilin e vazhdon edhe sot në fushën e mbrojtjes përmes misionit të KFOR-it në Kosovë. Shteti dhe populli jonë janë gjithnjë falënderues e përgjithmonë mirënjohës”, ka shtuar tutje ai.