Nol Nushi anëtar i Partisë Socialdemokrate ka deklaruar se kryeministri Kurti ka dështuar në raport me premtimet zgjedhore.
“Në raport me premtimet zgjedhore, mandati i qeverisë është dështim katastrofal. Në shumë sfera situata nuk është përmirësuar madje është edhe më keq se që ka qenë. Arsimi dhe Shëndetësia janë lënë në harresë. Politikat e mirëfillta sociale janë zëvendësuar me ndihma të njëhershme në formë lëmoshe”, ka thënë ai.
Sipas tij, qeveria “Kurti” është koncentruar në kapjen e shtetit.
“Nuk ka ndërhyrje strukturore që do ta ndryshonin gjendjen rrënjësisht. Tash për qytetarët alternativë kryesore është ikja nga vendi. Qeveria është e koncentruar në dialog, dhe në kapjen e shtetit. Në të parën nuk ka sukses, por te e dyta ka bërë shumë përparime në shërbim të partisë e në dëm të shtetit”, ka shtuar Nushi.
Për këto premtime dhe mos nisjen e realizimit të tyre Front Online ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu nuk ka kthyer përgjigje.