Fundi i muajit të 9 të vitit që e lamë pas, terrorizoi një fshat të tërë në komunën e Zveçanit, por edhe të gjithë Kosovën. Një grup terrorist i mirë-organizuar, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, la të vrarë një polic të Kosovës me gradë rreshter.
Tre muaj pas sulmit, i kërkuari nga Interpoli, Milan Radojiçiq, festoi natën e dytë të Vitit të Ri në liri.
Një burim i besueshëm i Televizionit ka njoftuar se në ditën e 1 janarit të këtij viti, Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb, e ka festuar Vitin e Ri së bashku me prijësit e grupit terrorist, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.
Kjo festë është mbajtur në lokalin e njohur të quajtur ‘’Hani Bani’’ në Kopaunik.
Në këtë festë i pranishëm ishte edhe Danijell Gjukiq, një prej pjesëmarrësve në sulmin terrorist në Banjskë, si dhe shok i afërt i Danilo Vuçiqit.
Institucionet e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë paraqitur fakte e dëshmi të lidhjes së aktit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë me shtetin e Serbisë, ndonëse këta të fundit janë përpjekur në vazhdimësi ta mohojnë.
Edhe në konferencën e fundit për media të kryeministrit Kurti dhe ministri të MPB-së, Sveçla, në njërën prej foto-dëshmive shihej djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiq, me një prej pjesëmarrësve të sulmit të 24 shtatorit.
Për sulmin e 24 shtatorit u fol të martën edhe në parlamentin britanik. Para komisionit për Punë të Jashtme raportoi sekretari Cameron pas vizitës në Kosovë, ku ndër të tjera tha se sulmi i Banjskës ishte shumë i rrezikshëm dhe se mund të përfundonte edhe më keq.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka deklaruar se edhe një vend tjetër është duke i kryer hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, por që nuk po i bën publike të gjeturat.
Deputetja shtoi se NATO-ja nuk e mori parasysh shqetësimin e saj që tha vitin e kaluar se po kontrabandohen armë në Kosovë, të cilat po vendosen në kisha.
Kearns tha se BE dhe SHBA duhet të dalin me përgjigje për Banjskën, meqë kanë vendosur masa ndaj Kosovës./RTK