Qeveria e Kosovës jo vetëm që mburret e krekoset për demokraci, por ka prej tyre si Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi që kanë pasur edhe shpërthime të padëgjuara emotive si “Kosova është e vetmja demokraci në rajon”.
Megjithatë, kjo demokraci, si sundim nga populli (demosi) dhe për popullin, e ka gjetur veten antitetike për nga vetë logjika me gjendjen në veri – ku ende vazhdojnë të ketë kryetarë edhe me nga 100 vota. Legalë po, legjitimë jo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kishte qenë i pakompromisë në instalimin me doemos të tyre – siç ishte rasti në fund të majit me një aparaturë të tërë policore – megjithatë shprehej se janë “kryetar me ‘k’ të vogël” teksa – së paku deklarativisht – kërkonte që të mos brohoritej me “triumfalizma” rreth kryetarëve shqiptarë në komunat të populluara me shumicë serbe.
Këto ‘triumfalizma’, megjithatë, përkundër ‘thirrjes’ së Kurtit, i dëgjojmë çdo ditë nga vetë ndjekësit politikë të këtij të fundit.
Për rastin e çuditshëm të vetëngujimit të Lulzim Hetemit – ndonëse komike – Vetëvendosja vazhdon ta ketë markë krenarie, ku madje vetë Kurti – të jepet përshtypja të ketë qenë në ndofarë deliri letrar – shkroi se “është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës”.
Kjo fjali e fundit “s’dihet a është”, siç thonë shkrimtari i madh Charles Bukowski, “poezi e keqe apo acid i mirë”. Për më tepër tejet triumfaliste edhe përkundër thirrjes së vet tij për “mostriumfalizma”. Konsistenca rëndom s’ka qenë virtyt i tij.
Ndonëse “si mënyra më e lehtë dhe e këshilluar” nga bashkësia perëndimore ndërkombëtare ka qenë dorëheqja e kryetarëve; Qeveria e Kosovës ka marrë rrugën “e vështirë” – siç e thonë edhe në një raport të miratuar së fundmi nga MAPL – të një Udhëzimi Administrativ për “shkarkim përmes peticionit” të banorëve lokalë.
“Nuk dua kryetar shqiptar në veri”, i tha Albin Kurti kohëve të fundit gazetës prestigjioze austriake “Der Standard”; por shtoi se shkarkimin e kryetarëve shqiptarë “nuk mund ta bëjë unë në vend të tyre (serbëve)”.
“Nuk dua kryetarë shqiptarë në veri – siç është aktualisht. Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm. Megjithatë, Beogradi nuk është i interesuar për pjesëmarrjen demokratike të serbëve në Kosovë”, pati thënë ai para mëse një muaji.
Megjithatë, në anën tjetër, vartësi i tij, ministri nga radhët e komuniteteve, Elbert Krasniqi, në bartjen e funskionit të tij qeveritar dje u tha ambasadorëve të QUINT-it se janë në favor të çuarjes në zgjedhje të reja në katër komunat veriore, por ama vetëm në një mënyrë: atë të Udhëzimit Administrativ.
Një nga arsyet më kyçe se pse janë vendosur sanksione ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian është saktësisht puna e instalimit me doemos dhe mos-shkarkimit me doemos të atyre kryetarëve; ku hiç më larg se ditëve të fundit Bashkimi Evropian njoftoi se sanksionet qëndrojnë “për sa kohë Kosova nuk i ndërmerr hapat e nevojshëm shtensionues” referuar kryetarëve në veri.
Sot, Elbert Krasniqi u përgjigj në lidhje me thirrjet – tash e më shumë se gjashtë muaj – të amerikano-evropianëve rreth largimit të kryetarëve derisa e frazoi vetëm si “Lidhur me interesimin nga gazetarët jam përgjigjur në pyetjet e tyre për procesin e peticionit për largimin e kryetarëve nga funksioni bazuar në udhëzimin administrativ përkatës”.
Megjithatë, Krasniqi tha se iniciativat e nisura nga veri për shkarkimin e kryetarëve “u kanë mbetur edhe 22 ditë” që t’i mbledhin nënskrimet e rreth 20 për qind të elektoratit të regjistruar në ato zona.
“Tashmë kemi katër grupe të qytetarëve në veri të vendit që po mbledhin nënshkrime. Nga informacionet që kemi nga kryesuesit e kuvendeve, të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut , me datën 22 dhjetor janë takuar me qytetarë që kanë iniciuar këtë Proces dhe janë autorizuar si palët dhe nga data 22 fillon rrjedhja e afatit. Ndërsa për komunën e Zveçanit kemi një situatë tjetër, pasi kryesuesja e Kuvendit s’e ka proceduar tek KQZ kërkesën e qytetarëve”, ka thënë ai.
“Por siç është paraparë me udhëzim administrative, qytetarët i janë drejtuar MAPL-së dhe KQZ-së dhe kanë pranuar numrin e trupës votuesve në Zveçan dhe 20 % e duhur për të mbledhur nënshkrimet dhe për të procesuar me pjesën tjetër të udhëzimit administrativ”, ka thënë ministri Krasniqi.
Në anën tjetër kryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje – Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi – kanë nisur edhe takime me njëri-tjetrin duke paralajmëruar “projekte të reja” për sivjet.
E tëra kjo pritet të gjejë epilog deri në fund të marsit kur edhe nisin lëvizjet e para drejt konkretizimit të pranimit të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe; tik-taku i të cilës veçsa vjen e shpejtohet./Nacionale