Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti që sipas tij nuk po ndërmerr masa në parandalimin e rritjes së faturave të energjisë, shkruan Reporteri.net.
Sot Qeveria ndau 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike, por siç thotë Hoti këto mjete nuk qëndrojnë tek ata, pasi ato shpërndahet tek KEDS-i dhe bizneset tjera.
Sipas tij, ulja e çmimit të energjisë do të ishte veprim i duhur.
Postimi i plotë i Hotit:
Në vend se të ndërmarrë masa për parandalimin e rritjes së faturave të energjisë elektrike për familjet, siç ndodhi në dhjetor kur për shumë familje faturat u frynë tepër shumë, Qeveria ndan 11 milionë euro për familjet për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike.
Kjo nuk është politikë. Këto mjete nuk qëndrojnë tek familjet. Me këtë veprim, paratë transferohen nga buxheti i shtetit tek KEDS-i dhe bizneset e tjera përmes familjeve.
Ulja e çmimit të energjisë elektrike do ishte veprimi i duhur në këtë rast, pasi çmimi i energjisë në tregje ndërkombëtare ka rënë dukshëm krahasuar me vitin e kaluar.