Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka ndonjë datë se kur do të procedohet në kuvend Kodi Civil, derisa shtoi se varet nëse do t’i kenë votat.
Ajo, në një konferencë për media, tha se për votimin e këtij ligji, përgjegjësi ka edhe opozita.
“Kodi Civil është shumë i rëndësishëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Nuk ka të bëjë se nuk jemi për atë dokument, sepse konsiderojmë se janë shumë të rëndësishme të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës, dhe Kodi Civil i avancon këto të drejta. Ne jemi marrë vetëm me një temë, 1148, por kemi rënë edhe në shumë të drejta tjera që qytetarët mund t’i gëzojnë nëse hyn në fuqi Kodi Civil, sepse Kosova nuk ka Kod Civil dhe ligjet në fuqi janë të stërvjetëruara dhe nuk janë në përputhje me rrethanat. Nuk jam e bindur që mund ta procedojmë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk jemi të bindur se mund të kalojë, nuk mund ta përballojmë situatën nëse Kuvendi sërish refuzon ta votojë një dokument të tillë.”
“Jemi në përpjekje maksimale që të kalojë, në komunikim me deputetët e grupit tonë parlamentar nuk mund të them sot me siguri se i kemi apo nuk i kemi, megjithatë jam optimiste se në momentin kur ta procedojmë edhe do të kalojë. Këtu përgjegjësi ka edhe opozita, sepse ata po thonë që po i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës, nëse është kështu, atëherë duhet të votojnë ligje të cilat i shërbejnë qytetarëve”, tha Haxhiu.
“Ne e kemi në agjendë legjislative Kodin Civil, por nuk mund të themi me siguri se kur pritet sepse varet nëse i kemi votat në Kuvend. Përndryshe Kodi Civil është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Qeverinë dhe ne nuk do të tërhiqemi nga drafti që e kemi proceduar më herët”, përfundoi ajo. /Gazeta Express/