Ministria e Shëndetësisë synon ligj të ri për sigurimin shëndetësor

Funksionalizimi i sigurimit shëndetësor vazhdon të mbetet një premtim i parealizueshëm nga të gjitha qeveritë, mirëpo një dekadë pas hyrjes në fuqi të ligjit për sigurimin shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që deri në fund të shkurtit ta procedojë në Qeveri një projektligji të ri.

Nga kjo ministri thonë se do të aprovohet edhe strategjia dhe plani i veprimit për sistemin informative shëndetësor, i cili është parakusht për funksionalizimin e sigurimeve.

 

“Si hap i parë është ndërmarrë buxhetimi i SISh-it, ku për vitin 2024 veçse është buxhetuar dhe si një parakusht për të vazhduar në funksionalizimin e plotë edhe të sigurimeve shëndetësore. Në mënyrë paralele është punuar edhe në Projektligjin për Sigurime Shëndetësore, Projektligji ky i cili do të procedohet në Qeveri, jo me larg se dy muajt e parë të vitit 2024”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për RTK-në, përcjell 07Press.

Ndër tjerash, mungesën e sigurimeve shëndetësore e kanë vuajtur më së shumti qytetarët, të cilët është dashur të paguajnë nga xhepi i tyre shërbimet shëndetësore të cilat nuk i kanë gjetur në institucionet publike.