TV Vala e Telekomit shton kanalet e Digitalbit që i hoqi Artmotion

Ndërmarrja Publike Telekomi i Kosovës ka ardhur me një lajm të mirë për qytetarët, pasi kompania ArtMotion ua hoqi atyre kanalet e Digitalbit të Shqipërisë, ndonëse kishte të tillë që kishin paguar për t’i pasur ato edhe për 1 vit.

Telekomi ka bërë të ditur se kabllorit ‘TV Vala’ që funksionon në kuadër të saj do t’i shtohen kanalet e platformës Digitalb.

Rrjedhimisht, do të ndryshojnë edhe çmimet e pakove televizive, shkruan lajmi.net.

“Për informimin tuaj nga mesi i këtij muajit në platformën tonë televizive TV Vala do të shtohen edhe kanalet e platformës “DigitAlb”, dhe rrjedhimisht do të ndryshojnë edhe çmimet e pakove televizive për të cilat do të informoheni detajisht në ditët në vijim”, thuhet në njoftimin që ky operator ua ka bërë klientëve.

Ndryshe qytetarët ditëve të fundit kanë pasur ankesa të shumta pasi kompania ArtMotion ua largoi kanalet e platformës Digitalb nga lista e tyre, ndonëse të njëjtit kishin paguar dhe nënshkruar kontratë që të njëjtat t’i kishin në shtëpitë e tyre.