Diplomatët dhe zyrtarët nga Kosova, mund të udhëtojnë pa viza drejt Arabisë Saudite.
E njëjta do të vlejë edhe për ata sauditë.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti dhe homologu i tij, Waleed Abdulkarim El Khereiji.
“Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, z. El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
“Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy shteteve, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar Arabinë Saudite për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm për Republikën e Kosovës. Z. Ahmeti kërkoi që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë procedura më të lehta për hyrje në Arabinë Saudite”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.