Pushimet mjekësore dhe ato pa pagesë janë bërë një mënyrë për mësimdhënësit kosovarë për ta testuar shpërnguljen në vende evropiane duke mos e rrezikuar vendin e punës në Kosovë. Zyrtarët dhe sindikalistët arsimorë thonë se ky fenomen mund të popullarizohet edhe më shumë pas liberalizimit të vizave për Kosovën.
Me një dashuri të madhe për ngjyrat, diplomë master në pikturë dhe 16 vjet përvojë pune si mësimdhënës në Komunën e Drenasit në Kosovë, Bekim Istogu u largua për ta nisur një jetë të re në Gjermani.
Ani pse e donte shumë profesionin e tij, Istogut i ishte mbushur mendja për ta lënë këtë karrierë në fillim të vitit 2022.
Shkak për këtë ishte paga e ulët që merrte në atë kohë, rreth 420 euro në muaj, dhe që kishte rrezik t’i ulej edhe më tej pasi iu zvogëlua numri i orëve.
“…Duhet të jenë 20 orë në javë për ta marrë një rrogë [të plotë] sa e merrnim atëherë. Rashë në 15, [u bë] një rrogë shumë e vogël”, thotë Istogu për Radion Evropa e Lirë.
Në vitet e fundit, Kosova është përballur në vazhdimësi me rënie të numrit të nxënësve duke krijuar në disa vende edhe tepricë të mësimdhënësve.
Para se ta linte punën, Bekimi punonte në tri shkolla të ndryshme në fshatra të Drenasit, për ta arritur numrin e nevojshëm të orëve mësimore.
“Në tri shkolla të udhëtoja, më shkonte rroga në naftë më shumë”, kujton ai.