Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë gjatë vitit 2023 kanë mbyllur vitin shkollor me mungesë të numrit të nxënësve dhe migrim të mësimdhënësve. Numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën këtë vit ka shënuar rritje për afro 100 më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq, edhe më shqetësues konsiderohet fakti që mbi 1 mijë nxënës nuk e kanë vazhduar shkollën e mesme, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike. Përveç kësaj, disa prej tyre në vend të shkollimit, zgjedhin që të punojnë qoftë në mënyrë të ligjshme ose jo.
Gjendja më mirë nuk qëndron as me mësimdhënësit, të cilët vazhdimisht përgatiten për të migruar në tregun e punës jashtë Kosovës. Vetëm në fillim të vitit 2024 janë mbi 300 kërkesa për pushime vjetore, dhe me këtë situatë mungesa e mësimdhënësve në shkolla do të jetë alarmante në vend.
Lidhur me braktisjen e fëmijëve në shkolla, koordinatorja për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat më të larta janë tek arsimi i mesëm i lartë, për shkak se nuk është arsim i obligueshëm.
Ajo tha për KosovaPress se braktisja e shkollimit paraqitet te klasat e 10-ta dhe të 12-ta dhe kjo është shqetësuese.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari thotë për KosovaPress se mësimdhënësit janë të zhgënjyer me Ligjin e ri të pagave. Ai thotë se një numër i madh i mësimdhënësve kanë bërë kërkesë për pushime njëvjeçare pa pagesë, sipas tij ky është një mesazh se ata po kërkojnë punë në tregun jashtë Kosovës.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë pwr KosovaPress se numri i rasteve të nxënësve që braktisin shkollën është në rritje, teksa komenton edhe kërkesat e mësimdhënësve për pushime njëvjeçare. Ai thotë se duhet analizuar nëse këto kërkesa kanë qëllime për migrim të mësimdhënësve jashtë vendit ose jo.
Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithë përfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë.
Po ashtu, Drejtoritë Komunale për Arsim (DKA) përgatisin dhe lidhin kontratat përkatëse për të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në procesin edukativ arsimor.