Katalonja, rajon që ka kërkuar pavarësinë në Spanjë tash e sa kohë, i është gëzuar njohjes së pasaportave të Kosovës nga Spanja, e cila megjithatë vazhdon ta refuzojë njohjen e pavarësisë.
Të shtunën u konfirmua se Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve edhe në këtë shtet, sikur në vendet tjera të zonës Schengen nga 1 janari. Spanja është ndër pesë shtetet e Bashkimit Evropian që refuzon njohjen e Kosovës. Vendimi kryesisht lidhet me kërkesat për ndarje të Katalonjës dha Baskisë. Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja janë shtetet tjera mosnjohëse.
“Spanja nuk e njeh ende Kosovën, sovranitetin apo pavarësinë e Kosovës, sepse ne nuk njohim deklaratat e njëanshme të pavarësisë”, ka thënë Jose Manuel Albares, ministër i Jashtëm i Spanjës, raporton “Financial Times”.
Spanja ka nxitur polemika në shtet me vendimin e fundit, por Qeveria ka reaguar shpejt duke thënë se lëvizja e njohjes së pasaportës nuk ka të bëjë me “zbutje” tjetër ndaj Katalonjës. Partitë pro-pavarësisë së Katalonjës në nëntor arritën dakord për mbështetjen e kryeministrit Pedro Sanchez edhe për një mandat. Partitë e këtij rajoni mbesin mbështetëse të pavarësisë së Kosovës.
Një zyrtar i “Together for Catalonia (Bashkë për Katalonjën)”, parti në Katalonjë, ka thënë se janë të lumtur për kosovarët dhe të gëzuar që do t’i anulojnë planet për të promovuar çështjen e pasaportave në Kuvendin e Spanjës.
Qeverisja rajonale e Katalonjës, e udhëhequr nga E Majta Republikane katalonjase, ka thënë se “qëndrimi i saj është në përputhje të plotë me pozicionin e institucioneve evropiane për njohjen dhe sovranitetin e Kosovës”. “Është Spanja ajo që ka qëndrim ndryshe. Është anomali”, kanë thënë në këtë qeverisje.
Edward Joseph, ekspert për Ballkanin në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka vlerësuar vendimin e Spanjës si “hap të madh përpara, duke paralajmëruar përfarim të mëtejmë të NATO-s dhe BE-së për çështjen e shtetësisë së Kosovës”.
“Është çështje kritike për stabilitetin e rajonit”, ka thënë ai duke shtuar se vendimi i ri i Spanjës hap mundësi të reja bashkëpunimi.