Serbia e lë në paraburgim ish-ushtarin e UÇK-së

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakajt i cili u arrestua nga autoritetet serbe të premten në pikëkalimin kufitar në Merdar, i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaj në Serbi.

Avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi tha se përmes avokatit që i është caktuar Dakajt në Serbi është njoftuar që “është caktuar masa e paraburgimit.

Smakiqi tha se do të ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi.

“Unë jam në koordinim me avokatin e tij në Serbi.. Më ka thënë që i është caktu masa e paraburgimit”, tha avokati.

Ai tha se ish-ushtari i UÇK-së “dyshohet për krime lufte”, sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë.

Hasan Dakaj nga Prizreni tash ndodhet në një qendër paraburgimi në Beograd. Ai u arrestua të premten nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar.

Prokuroria në Beograd pretendon se Dakaj ka kryer krime lufte si 19 vjeçar në vitin 1999.