AKK dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një skandal financiar.

Berishaj dyshohet se kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë energjetike sllovene, “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë politikanit slloven, Robert Golob.

Ambasadori i Kosovës në Zagreb dyshohet se e ka fshehur pronësinë e tij mbi tri kompani në deklarimin e pasurisë që e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për çka edhe kishte nisur verifikimi i pasurisë së tij.

Në formularin e pasurisë, ambasadori Berishaj nuk ka deklaruar se është pronar i “MB Consulting”, kompaninë së tij në Mal të Zi, me të cilën implikohet në skandalin financiar për transfere të dyshimta të parave te politikani slloven, Robert Golob.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj u raportua se ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompani në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.