I dyshuari për kontrabandë mallrash e kërcënon policin në Mitrovicë, ia zë pritën dhe e provokon

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Muhamet Gashi” në Mitrovicë, ku një zyrtar policor është kërcënuar nga një person – emër i njohur për organet e rendit, i cili ishte arrestuar disa herë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një V.Zeqiri, i dyshuar për kontrabandë me mallra, i cili e ka penguar zyrtarin policor teksa po lëvizte me veturën e tij, duke e provokuar e madje edhe kanosur.

Gjithçka dyshohet se lidhet me rastet për të cilat i njëjti ishte prangosur dhe në shenjë revolte, ka tentuar t’i qërojë hesapet me policin.

Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, por i dyshuari ka ikur.

Lidhur me incidentin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme për arrestimin e të dyshuarit dhe ndalimin e tij.