Fshati Mirash i Vjetër i komunës së Ferizajt është duke u braktistur çdo ditë e më shumë. Sipas kryetarit të fshatit, tashmë migrimi ka marrë përmasa të tjera. Kjo ikje e banorëve po vërehet dukshëm edhe në shkollën e fshatit, pasi për çdo vit numri i nxënësve po bie.
Edhe pse fshati Mirash i Komunës së Ferizajt njihet si një ndër vendbanimet atraktive të vendit, ka vite që po braktiset nga banorët.
Vendësit flasim për një vendbanim të moçëm, sikurse është edhe emërtimi i tij Mirash.
“Mirashi i vjetër, jemi ne këtu, ndërsa, gjatë kohës së okupimit, serbët e patën ndryshu pak emrin e Mirashit të vjetër me Mirashin e ri. Ata që lagjen ku banonin serbët në Mirash të Ri, e patën bo ata Mirashi i Vjetër, ndërsa neve na quanin Mirashi i Ri. Kështu që disa dokumente ende vijnë qashtu”, tha Taib Bytyqi, kryetar i fshatit.
Banorët e Mirasht që nga çlirimi i vendit e deri më sot për çdo hall të tyre i drejtohen kryetarit të fshatit, Taib Bytyqi, i cili mbi të gjitha vë në pah braktisjen e fshatit.
“Në fshatin Mirash përafërsisht duhet me qenë 2.200 banorë, por, një numër i madh i tyre e kanë lëshu Mirashin, për kushte ekonomike, papunësi, dhe kanë dalë jashtë. Prej pas luftës fshati jonë bukur shumë ka përparu me infrastrukturë, me shkollë, zhvillim bujqësor”, tha Bytyqi për RTV21.
Ikja e banorëve të fshatit Mirash më së miri po vërehet në bankat e shkollës “Ali Hadri”, drejtori i së cilës, Imri Hashani, punonjës i këtij institucione prej 34 vjetësh thotë se asgjë nuk po i ndalë banorët të ikin në venbanime urbane.
“Ka ra numri i nxënësve në shkollën tonë. Kjo është kalimi prej fshatit në qytet po edhe migrimi në botën e jashtme, por, edhe nataliteti është faktori kryesor që e ka bo të vetën. Për cdo vit është t’u ra numri i nxënësve, vitin e kalum kemi pasë 223 tani kemi 218, dmth për cdo vit, numri është ra.Po ndikon me të madhe sepse në vitet e 90 apo prej 89 e knej kemi pasë klastë prej të 1 deri në të 8, gjithëherë kemi qenë nga dy paralele, dy të parat, dy të dytat, dy të tretat dhe ka qenë numri i nxënësve deri në 30, edhe pse kanë qenë nga dy paralalele, sot kemi nga një paralele nga të gjitha edhe atu kemi 17-18 nxënës”, tha ai.
Rreth 3 dekada më parë, shkolla “Ali Hadri” numëronte mbi 400 nxënës, ndërsa tani ka afro 200, që dëshmon për rënie drastike të numrit të nxënësve dhe banorëve në përgjithësi në këtë fshat, i cili ka një sipërfaqe prej 1 mijë e 200 hektarë me rreth 300 shtëpi e mbi 2000 banorë.