Mediumi spanjoll “El Pais”, ka raportuar për njohjen e pasaportave të Kosovës nga Spanja që iu mundësojnë kosovarëve udhëtim pa viza. Tashmë edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës e ka konfirmuar këtë.
Në raportim citohet zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili e ka kumtuar këtë lajm.
Spanja nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe e konsideron pavarësinë si “të njëanshme”, ka raportuar mediumi në fjalë.
”Liberalizimi i vizave me Kosovën u miratua nga Këshilli Evropian marsin e kaluar dhe Parlamenti Evropian një muaj më vonë. Mirëpo, Komisioni në atë kohë paralajmëroi se Spanja ishte përjashtuar nga kjo masë duke mos e njohur vlefshmërinë e pasaportave të lëshuara nga autoritetet kosovare. Ministri i Punëve të Jashtme, José Manuel Albares, tha më pas: “Spanja ka një politikë të mosnjohjes së Kosovës dhe kjo nënkupton mosnjohjen e pasaportave të Kosovës, të cilën ne e kemi zbatuar vazhdimisht”, ka raportuar El Pais treksa tregonte për refuzimin e Spanjës fillimisht.
”Autoritetet doganore spanjolle nuk i lejuan kosovarët të hynin duke mos validuar dokumentet e tyre”, thuhet në artikull.
E konsultuar nga EL Pais, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk ka shpjeguar arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin.
“Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Kosovës me Bashkimin Evropian. Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit”, thuhet në raportim. /Gazeta Express